Miliarderi Elon Musk planifikon të japë një donacion shumë të madh prej 45 milionë dollarësh në muaj për organizatën “America PAC”, që synon të mbështesë rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo organizatë është një “super PAC”, e cila mund të angazhohet në aktivitete mbështetëse për kandidatë politikë, si fushata reklamuese dhe organizimi i ngjarjeve, megjithatë nuk mund të financojë drejtpërdrejt një kandidat.
America PAC u themelua në fund të majit dhe deri tani ka mbledhur 8.75 milionë dollarë, duke përfshirë donacione nga vëllezërit Cameron dhe Tyler Winklevoss, të njohur për investimet e tyre në kriptomonedhë. Megjithatë, emri i Elon Musk nuk figuron në listën e donatorëve deri më tani, por pritet të fillojë ta financojë këtë organizatë me 45 milionë dollarë në muaj.
Ky donacion pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në historinë e fushatave zgjedhore në SHBA. Musk kishte deklaruar më parë se nuk do të financonte asnjë kandidat, por mbështeti publikisht Trump pas tentativës për vrasjen e tij, duke shprehur “mbështetjen e tij totale” për kandidatin republikan.
Në total, nga fillimi i fushatës, Trump është raportuar të ketë mbledhur mbi 100 milionë dollarë donacione dhe shpenzuar më shumë se 80 milionë dollarë. Donacioni më i madh i ofruar deri më tani për një super PAC në këtë cikël zgjedhor është ai i 50 milionë dollarëve nga Tim Mellon, i cili mbështet një tjetër organizatë të ngjashme në favor të kandidatit të së djathtë amerikane./UBTNews/