UBT News

Elita Hajrizi dhe Vlera Saraqi synojnë fitore në Garën Ndërkombëtare të Microsoft Office Specialists

Ekipi i përbërë prej studentëve të UBT-së, Elita Hajrizi, Vlera Saraqi dhe Artin Ahmeti, do të përfaqësojë Kosovën në kuadër të UBT-së në Kampionatin Botëror të Microsoft Office Specialist në New York. Treshja fantastike muaj më parë u shpallën fitues nga Certiadria në Kampionatin Ballkanik të Microsoft Office Specialist 2020.

Gjatë intervistës në Radio Campus, ato folën për përgatitjet që po bëjnë për të përfaqësuar Kosovën sa më mirë në mesin e shteteve tjera.

“Përgatitjet për këtë garë janë intensive, ne shfrytëzojmë rastin ta falënderojmë kolegjin UBT për përkrahjen e vazhdueshme dhe përgatitjen profesionale. Veçanërisht, falënderojmë profesorin Besnik Skenderi i cili punon vazhdimisht me ne në mënyrë që të jemi të suksesshëm”, tha Hajrizi.

Gjatë intervistës, Vlera Saraqi foli edhe për sfidat më të mëdha gjatë procesit të përgatitjes për këtë garë.

“Sfida më e madhe është gjithmonë koha e limituar për të zgjidhur detyrat në mënyrë korrekte. Emocionet janë shumta dhe natyrisht që kufizimi i kohës e bën edhe më sfiduese pjesën e garës”, tregoi Saraqi.

Ndërkaq, të pyetura për alternativat tjera në rast të pamundësisë së zhvillimit të garës për shkak të gjendjes pandemike, ato treguan se shpresojnë të mbahet në New York, mirëpo mundësia tjetër është edhe zhvillimi i garës online.

Ato tutje shtuan se synojnë ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht dhe të kthehen si fituese të vendit të parë.

“Synimi ynë është që të japim më të mirën nga vetja dhe të kthehemi fitues nga gara internacionale duke bërë krenar shtetin e Kosovës. Ndërkaq këshilla jonë për të rinjët e vendit tonë është që të mos ndalen duke punuar për qëllimet e tyre”, shtoi Hajrizi.

Ndërkaq, kujtojmë që ekipi i Kosovës ka marrë pjesë edhe në gara të tjera në nivel ndërkombëtar, duke veçuar garën “FIRST Global Challenge”, në të cilën UBT është vlerësuar nga organizatorët dhe ka marrë medalje të artë për kontributin dhe mbështetjen që ka dhënë dhe po jep për FIRST Global./UBTNews

Exit mobile version