Gazetari i kronikës së zezë në Meksikë, Alejandro Martínez, u ekzekutua të hënën ndërsa ishte nën mbrojtjen e policisë në shtetin e Guanajuato, një ngjarje që shënon një tjetër rast të dhunshëm ndaj punonjësve të medias në vend. Martínez, i njohur me pseudonimin “Djali i Rangerit të Vetëm”, ndodhej në një makinë të mbrojtur nga dy roje sigurie kur sulmues të armatosur të panjohur e qëlluan.
Sipas raportimeve, autorët e sulmit hapën zjarr nga një kamionçinë, duke qëlluar mbi makinën e Martínezit dhe truprojave të tij. Edhe pse rojet e sigurimit iu përgjigjën zjarrit, ata nuk arritën të shpëtonin gazetarin, i cili u godit fatalisht në kokë. Martínez vdiq në spital nga plagët e plumbave. Një grua në një makinë tjetër gjithashtu u plagos nga një plumb gjatë incidentit.
Martínez, rreth të 50-tave, ishte drejtues i një medieje të njohur në Facebook me më shumë se 340,000 ndjekës, dhe kishte qenë nën mbrojtjen e policisë që nga një sulm i ngjashëm në vitin 2022. Meksika është e njohur si një nga vendet më të rrezikshme për gazetarët, me më shumë se 150 punonjës të medias të vrarë që nga viti 1994, sipas raportimeve të grupit të fushatës Reporterët pa Kufij.
Në një intervistë të dhënë tre vjet më parë, Martínez kishte shprehur shqetësimin dhe dhimbjen e tij për rritjen e dhunës në rajon. Balbina Flores nga Reporterët pa Kufij në Meksikë komentoi se “ai ishte një gazetar që ishte në rrezik të vazhdueshëm.”
Sipas një zyrtari qeveritar, Martínez kishte qenë i përfshirë në një program federal që ofron mbrojtje për gazetarët që janë kërcënuar me vdekje. Vrasja e tij është një pjesë e një serie sulmesh vdekjeprurëse ndaj gazetarëve në Meksikë. Vetëm në fillim të këtij muaji, Federico Hans, një gazetari në qytetin e Caborca në shtetin verior Sonora, u plagos rëndë në një sulm ndërsa ishte duke hipur në makinën e tij. Në një incident të ngjashëm më 29 qershor, Victor Culebro u gjet i vdekur përgjatë një autostrade në shtetin jugor të Chiapas.
Vrasja e Alejandro Martínez rikonfirmon rrezikun e vazhdueshëm që përballen gazetarët në Meksikë dhe nevojën për masa më të forta mbrojtjeje për ata që raportojnë për krimin dhe korrupsionin në këtë vend./UBTNews/