Sipas Policisë së Kosovës, një shtetas i huaj është ekstraduar më 20 gusht 2026 nga Kosova drejt Spanjës.
Policia, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e personit i cili ishte arrestuar në Kosovë.
I dyshuari kërkohej përmes INTERPOL-it, me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Spanjës, nën dyshimin për veprën penale “rrëmbim i fëmijës”.
Sipas njoftimit, ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Spanjës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të veprave penale dhe kapjes së personave të kërkuar ndërkombëtarisht./A.K/
