Është ekstraduar nga Kosova në Bosnje-Hercegovinë një i dyshuar për kryerjen e një vrasjeje të rëndë, që ka ndodhur në fund të vitit të kaluar në Sarajevë. Lajmin e ka konfirmuar minstrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Është ekstraduar sot nga Kosova në Bosnje dhe Hercegovinë personi i dyshuar për kryerjen e një vrasjeje të rëndë që kishte ndodhur fundvitin e shkuar në Sarajevë. Personi ishte arratisur nga Bosnje dhe Hercegovina për në Kosovë, ndërsa ishte arrestuar këtu falë bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Bosnje dhe Hercegovinës”, ka shkruar Haxhiu ne Facebook.
Ajo u shpreh se ky rast është një sukses i bashkëpunimit ndërkombëtar në mes të Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës, siç tha ajo pavarësisht rrethanave politike.
“Ky rast përbën një sukses të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, pavarësisht rrethanave politike. Gjithashtu, ky rast është tregues se nëpërmjet mekanizmave të fuqizuar të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale, individët e grupet kriminale nuk mund ta shohin Kosovën si vend për arratisje për t’i ikur drejtësisë, e as si vend për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal”, perfundon postimi i Albulena Haxhiut.
Kujtojmë që Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh shtetësinë e Kosovës./UBTNews
(Hana Shala, studente në Shkenca Politike)