UBT News

Ekstradohet nga Italia në Kosovë i dyshuari për falsifikim të dokumenteve

Një shtetas kosovar me inicialet F.V. është ekstraduar nga Italia në Kosovë, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së vendit.

Policia e Kosovës njoftoi se ekstradimi u realizua më 28 janar 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë përkatëse policore dhe institucionet e drejtësisë, si dhe në bashkëpunim me autoritetet italiane.

I dyshuari ishte arrestuar në Itali dhe kërkohej për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”, ndërsa thuhet se i ishte shmangur drejtësisë.

Pas ekstradimit, ai u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore. Policia bëri të ditur se bashkëpunimi ndërkombëtar do të vazhdojë me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprimtarive kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

Exit mobile version