Sot është realizuar me sukses ekstradimi nga Hungaria në Kosovë i shtetasit S.T. (49), nga fshati Gjonaj i Prizrenit, i cili kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
Sipas autoriteteve, ai ishte dënuar për disa vepra penale, përfshirë blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, kultivimin e bimëve narkotike si dhe posedimin e paautorizuar të armëve. Ndaj tij ishte shqiptuar dënimi prej tre vjet e 10 muaj burgim dhe një gjobë prej 4 mijë eurosh, të cilit i ishte shmangur.
