UBT News

Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitet relevante dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar sot ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Gjermania në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi ndaj tij ishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, me kërkesë të institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Ai kërkohej për veprën penale “grabitje” dhe dyshohet se ishte shmangur nga organet e drejtësisë. Ekstradimi është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës Federale të Gjermanisë.

Autoritetet kanë vlerësuar se ky rast dëshmon nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale.

 

Exit mobile version