UBT News

Ekstradohen nga Gjermania dhe Franca dy persona të kërkuar nga Kosova

Dy persona të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar janë ekstraduar për në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 23 dhjetor 2025 ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë, L.V. (1990) dhe A.M. (1991). Njëri prej tyre është ekstraduar nga Gjermania, ndërsa tjetri nga Franca.

Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e këtyre dy shteteve. Të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritetet gjermane dhe franceze, pasi kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.
Të njëjtit dyshohen se kanë qenë të përfshirë në vepra penale të ndara dhe se i janë shmangur drejtësisë.

Pas ekstradimit, ata u janë dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, përkatësisht atë të Gjilanit, për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore.

Exit mobile version