Eksporti i mallrave në muajin gusht 2023 në Kosovë ka shënuar rënie drastike. Eksportet kishin vlerën jo më shumë se 67.3 milionë euro ose një rënie prej 20.7 për qind.
Të dhënat e raportit të për Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin gusht tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 3,1 për qind në muajin gusht të vitit 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 455.8 milionë euro, krahasuar me deficitin 441.9 milionë euro në vitin 2022.
Sipas këtij raporti, eksporti mbulon importin me 12,9 për qind.
“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2023 kishte vlerën 67,3 milionë euro, ndërsa importi 523.1 milionë euro, që është një rënie prej 20,7 për qind për eksport, si dhe 0.7 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”, thuhet në raport.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 19,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5,4% e përbëjnë produktet bimore, etj.
“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16,9% e përbëjnë produktet minerale; 12,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9,4% e përbëjnë mjetet e transportit; 6,0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5,9% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj”, bën të ditur ASK-ja.
Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e BE-së
ASK njofton po ashtu se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 20,6 milionë euro, ose rreth 30,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-33,4%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,3%), Italia (3,3%), Holanda (3,2%), etj.
Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 217,0 milionë euro, ose 41,5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1,8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11,8%), Greqia (6,0%), Italia (4,4%), etj.
Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 26,7 milionë euro, ose 39,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-17,1%). Partnerë kryesorë për eksport ishin: Shqipëria (14,3%), Maqedonia e Veriut (13,4%), Mali i Zi (5,4%), Serbia (5,2%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 73,2 milionë euro, ose 14,0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-26,8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,5%), Maqedonia e Veriut (4,5%), Serbia (2,1%).
Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19,9 milionë euro, ose 29,6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (15,9%) dhe Zvicra (8,5%).
“Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 232,8 milion Euro, ose 44,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,0%) dhe Kina (12,7%)”, thuhet në raport.