“Nga Lufta drejt Paqes”, ishte tema e cila u trajtua në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, nga eksperti Josef Martinsen, në prezencën e Ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund dhe profesoreshës së UBT-së, Dr. Sc. Salihe Salihu.
Në këtë ligjëratë tematike të organizuar në kuadër të Fakultetit Shkenca Politike në UBT, studentët e shkencave politike – sociale dhe profesorët e UBT-së, patën mundësi të dëgjonin dhe të kuptonin më tepër rreth përvojës së Josef Martinsen, si ekspert dhe themelues i Komisionit të së Vërtetës (Truth Commission), një nismë që synon të krijojë një rrëfim të përbashkët të së shkuarës.
Në hapje të kësaj ligjërate tematike, dekania e Fakultetit të Psikologjisë, Denis Celcima, në emër të UBT-së, falënderoi për pjesëmarrjen në këtë ligjëratë tematike, ekspertin Josef Martinsen dhe Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Josef Martinsen u shpreh falënderues dhe mirënjohës për mikpritjen në UBT, njëherit vlerësoi se të rinjtë në Kosovë duhet të shfrytëzojnë mundësitë që i kanë dhe të ndjekin rrugën e mendimit dhe veprimit.
“Jam i gëzuar që jam këtu dhe t’i them diçka të rëndësishme gjeneratës së re, një mesazh i cili bazohet nga eksperienca ime. Kam shpresë që këta të rinj do të shohin mundësitë që kanë dhe do të ndjekin rrugën e mendimit dhe të veprimit”, ka thënë Martinsen.
Profesoresha Salihe Salihu vlerësoi se ligjërata të tilla që trajtojnë fakte nga e kaluara janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të rinjtë dhe gjeneratat e ardhshme, për të kujtuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen.
“Vitet e 90-ta, janë vitet e tmerrshme të krimeve gjenocidale në botë. Rëndësia e kësaj ligjërata është edhe tema: “Nga Lufta në Paqe”, ngaqë shpalosja e së kaluarës është e nevojshme, duke respektuar të tashmen dhe njëkohësisht duke ndërtuar paqen bashkërisht. Ligjëratat për luftën dhe paqen janë të domosdoshme për universitetet në Kosovë, që gjeneratat e reja të dinë dhe të njohin kontributin e të gjithëve për liri dhe pavarësi”, tha Salihu.
Josef Martinsen është autor nga Norvegjia. Prej korrikut të vitit 1999 deri në mars të vitit 2000 ka punuar si koordinator i UNHCR-së. Prej vitit 2006 ai ka punuar lidhur me dokumentimin e fakteve të njerëzve të vrarë dhe të zhdukur në luftën e Kosovës në vitet 1998/1999, si dhe me faktin se çfarë ka ndodhur me civilët gjatë luftës. Ai ka botuar dy libra dhe një dokumentar për çështjen e Kosovës.