Kundërofensiva e Ukrainës në pjesën verilindore të vendit duket se e kapi Rusinë në befasi në luftën gati 7 mujore.
Tërheqja e shpejtë dhe kaotike e trupave në rajonin e Kharkivit, në të cilën disa armë dhe municione u lanë pas, ishte një goditje e madhe për imazhin rus. Kjo ishte humbja më e madhe ushtarake në Ukrainë që kur Moska tërhoqi forcat e saj nga zonat afër Kievit pas një përpjekjeje të dështuar për të pushtuar kryeqytetin në fillim të pushtimit.
Ofensiva ukrainase duket se ka lënë Kremlinin dhe Presidentin Vladimir Putin pa një përgjigje adekuate. Kjo ka zemëruar blogerët dhe nacionalistët ushtarakë rusë, madje ka ekspozuar disa përçarje të brendshme politike.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk e përmendi gjendjen në Ukrainën verilindore gjatë inaugurimit të një parku kombëtar në Moskë.
Në të vërtetë, kundërofensiva ukrainase duket se e ka vënë Kremlinin në një pozitë të vështirë.
Ministria e Mbrojtjes deklaroi se tërheqja e trupave kishte për qëllim forcimin e pozicioneve ruse në Donbas, një justifikim disi i dobët, duke patur parasysh se zonat e kontrolluara nga Rusia në rajonin e Kharkiv-it siguruan një pikë kyçe të favorshme për operacionet e Moskës në rajonin jugor të Donetskut.
Ministria ruse e mbrojtjes nuk ka ofruar ndonjë hollësi në lidhje me tërheqjen, por ajo publikoi një hartë të dielën që tregon se trupat ruse ishin zmbrapsur përgjatë një rripi të ngushtë toke në kufirin me Rusinë, një pranim në heshtje i përparimit të madh të forcave ukrainase.
Televizioni shtetëror rus dhe media të tjera të kontrolluara nga qeveria ndoqën shembullin, duke mos folur drejtpërdrejt për tërheqjen e trupave ruse.
Një video e publikuar nga ministria ruse e mbrojtjes tregoi një helikopter rus duke sulmuar trupat ukrainase që po përpiqeshin të kalonin lumin Oskil në një pjesë më parë të qetë në rajonin e Kharkivit, një pranim e shkallës së gjerë të sulmit ukrainas.
Shumë njërëz në Rusi fajësojnë armët dhe luftëtarët perëndimor për mungesën e përparimit të ushtrisë ruse në Ukrainë. “Nuk është Ukraina, por e gjithë NATO-ja që po na lufton”, thotë Alexander Kots, një korrespondent lufte për gazetën pro-Kremlinit “Komsomolskaya Pravda”.
Ofensiva e re ukrainase, e cila ka rritur moralin e vendit ndërsa lufta kaloi ditën e 200 të dielën, mund të krijojë kushtet për përparim të mëtejshëm në lindje dhe gjetkë.
Por, ajo gjithashtu mund të shkaktojë një përgjigje edhe më të dhunshme të Moskës, duke çuar në një përshkallëzim të ri dhe të rrezikshëm të luftimeve. Të dielën mbrëma, raketat ruse goditën infrastrukturën ukrainase, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike në disa rajone.
“Kremlini duket i befasuar dhe nuk ka dalë ende me një plan të shpjeguar këtë në avantazh të Rusisë, kështu që në një masë të madhe mediat po injorojnë lajmet e këqija në pritje të një direktive nga Moska”, thotë Mark Galeotti, profesor në Kolegjin e Londrës, i cili ka specializuar në çështjet ruse të sigurisë.
Sipas tij, situata duket se po del jashtë kontrolllit të Moskës.
Në një pasqyrim të ashpër të tensioneve të brendshme të provokuara nga sukseset e Kievit, udhëheqësi rajonal i Çeçenisë, i mbështetur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, kritikoi hapur Ministrinë Ruse të Mbrojtjes për “gabimet” që bënë të mundshëm përparimin e Ukrainës.
Kritikat nga zoti Kadyrov, i cili ka dërguar njësitë çeçene për të luftuar në Ukrainë dhe vazhdimisht ka bërë thirrje për veprime më agresive, kanë zbuluar përçarjet e reja mbi rrjedhën e luftimeve në Ukrainë.
Në anën tjetër, politikani liberal Boris Nadezhdin paralajmëroi në kanalin “NTV” se Rusia nuk do të jetë në gjendje të mposht Ukrainën dhe bëri thirrje për negociata.
Komentet e zotit Nadezhdin duket se pasqyrojnë dyshimet në rritje në disa qarqe të zyrtarëve rusë për të ardhmen e operacionit ushtarak në Ukrainë dhe mund të jenë pjesë e përpjekjeve për të nxitur ndryshime të mundshme të politikave.
Ofensiva ukrainase dhe dështimi i Kremlinit për të dalë me një përgjigje të shpejtë ka zemëruar nacionalistët rusë dhe blogerët ushtarakë, të cilët kritikuan Ministrinë ruse e Mbrojtjes për mungesë të aftësisë për të parashikuar dhe penguar kundërofensivën.
Ukraina ka bërë një mobilizim të gjerë me synimin për të arritur krijimin e një ushtrie aktive me 1 milion luftëtarë. Rusia ka vazhduar të mbështetet në një kontigjent të kufizuar vullnetarësh, nga frika se një mobilizim masiv mund të nxisë pakënaqësi më të gjerë dhe të shkaktojë paqëndrueshmëri politike.
Rusia nuk është shprehur mbi numrin e trupave të saj të përfshira në luftë, por bazuar në vlerësimet e vendeve perëndimore, në fillim të luftës Kremlini kishte planifikuar dislokimin e mbi 200,000 ushtarëve rusë në Ukrainë. Zyrtarët perëndimorë thonë se rekrutimi i vullnetarëve të rinj dhe përdorimi i kontraktorëve ushtarakë privatë nuk arritën të kompensonin humbjet e mëdha në betejë.
Ndonëse Moska nuk i ka raportuar humbjet e veta që nga marsi, kur tha se 1,351 ushtarë rusë ishin vrarë në muajin e parë të luftës, vendet perëndimore vlerësojnë se mbi 25,000 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë dhe mbi 80 mijë ushtarë të tjerë janë plagosur, kapur ose kanë dezertuar./VOA/