Pasi shpalli një armëpushim “dypalësh”, presidenti kolumbian Gustavo Petro mund të ketë dobësuar qeverinë e tij në bisedimet e vazhdueshme të paqes me grupet e armatosura, thonë ekspertët.
Deklarata e Petros për natën e Vitit të Ri u përshëndet nga Kombet e Bashkuara dhe të tjerët si një hap drejt “paqes totale” që presidenti i parë majtist i Kolumbisë është zotuar të sjellë në vend.
Por grupi gueril i ELN vetmë tre ditë më vonë përgënjeshtroi deklaratën e Petros, duke mohuar që grupi të kishte hyrë në ndonjë marrëveshje të tillë dhe qeveria pranoi se asgjë nuk ishte nënshkruar.
Qoftë një dredhi e llogaritur për të grumbulluar presion mbi ELN apo thjesht keqkomunikim, masa e Petros ishte një “gabim” që dëmtoi “legjitimitetin e negociatave të paqes”, tha për AFP ekspertja e konfliktit Laura Barrios nga Universiteti Rosario.
“Sfida më e madhe këtu do të jetë se si qeveria do të rifitojë besimin e ELN-së”, tha ajo.
Për analistin Felipe Botero ngjarjet “zbuluan papërvojë dhe ngathtësi politike”. Ishte një “kthim prapa për qeverinë”, tha Botero.
Më 31 dhjetor, Petro njoftoi se ishte rënë dakord për një armëpushim me pesë grupet më të mëdha të armatosura të vendit, përfshirë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (ELN), nga 1 janari deri më 30 qershor.
Qeveria më pas tha se armëpushimi do të monitorohej nga Kombet e Bashkuara, ombudsmeni i të drejtave të njeriut të Kolumbisë dhe Kisha Katolike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se marrëveshja e supozuar solli “shpresa të ripërtërirë për paqe gjithëpërfshirëse për popullin kolumbian teksa po zbardhet Viti i Ri”.
Por më pas të martën, ELN tha se “nuk kishte diskutuar ndonjë armëpushim dypalësh me qeverinë e Gustavo Petro, prandaj nuk ekziston një marrëveshje e tillë”.
Grupi shtoi se“një dekret i njëanshëm i qeverisë nuk mund të pranohet si marrëveshje”.
Kjo bëri që qeveria të pranonte të martën se një dekret i propozuar për armëpushim nuk ishte nënshkruar dhe të nesërmen të shpallte një pezullim të një armëpushimi që në fakt, as nuk ka ekzistuar kurrë në radhë të parë.
Petro, një përdorues aktiv i rrjeteve sociale, ka qenë i qetë ditët e fundit.
Si qeveria ashtu edhe ELN kanë thënë se çështja e një armëpushimi do të ngrihet sërish në Meksikë kur bisedimet të rifillojnë më vonë këtë muaj.
Negociatat midis qeverisë dhe ELN, grupi i fundit rebel i njohur në vend, kanë nisur që nga nëntori.
Raundi i parë i bisedimeve të paqes që kur Petro erdhi në pushtet në gusht përfundoi në Karakas, Venezuelë më 12 dhjetor, pa u rënë dakord për një armëpushim.
ELN e ka akuzuar tashmë Petron se vepron njësoj si ish “qeveritë tradicionale” me të cilat përpjekjet e mëparshme për negociatat e paqes kishin dështuar.
Komentatori politik Andres Mejia Vergnaud tha se një marrëveshje armëpushimi sapo është bërë “më e shtrenjtë”.
“Qeverisë i duhet shumë më tepër dhe pala tjetër do të marrë më shumë në këmbim” tha ai.
Njoftimi i Petros përfshinte gjithashtu dy fraksione disidente të grupit të shpërbërë gueril FARC, grupin e narkotikëve të Klanit të Gjirit dhe Forcat Vetëmbrojtëse të Sierra Nevadas, grup paraushtarak i krahut të djathtë.
ELN, e cila ka rreth 3,500 anëtarë, është i vetmi grup që ka hedhur poshtë ekzistencën e një armëpushimi, megjithëse të tjerët do të vëzhgojnë nga afër se çfarë do të ndodhë më pas.
Për Leon Valencia, drejtor i Institutit të Fondacionit për Paqe dhe Pajtim, gabimi i dukshëm i ka dhënë opozitës një hapje “të madhe” për goditjen e ekzekutivit./UBTNews/