Valët e të nxehtit kanë goditur Evropën më herët këtë vit. Greqia, Qiproja, Turqia dhe Italia tashmë po përballen me të nxehtit ekstrem, ku disa vende po regjistrojnë temperatura 10 gradë Celsius mbi mesataren sezonale.
Rreziku nga vala e të nxehtit në Lojërat Olimpike të Parisit ka ngjallur shqetësim te organizatorët lidhur me sigurinë e atletëve. Spanja është duke u përgatitur për një tjetër verë të frikshme, duke publikuar një hartë të re për të ndihmuar me parashikimet më të sakta të valëve të të nxehtit. Qytetet në të gjithë kontinentin po përgatiten për ta përballuar më lehtë nxehtësinë ekstreme.
A do të jetë kjo verë jashtëzakonisht e nxehtë në Evropë?
Kur bëhet fjalë për valët e të nxehtit ose ekstremet individuale të motit, askush nuk e di qartë. Por situata e mëhershme meteorologjike mund t’i ofrojë disa të dhëna.
“Është shumë e vështirë të parashikosh me saktësi se si do të jetë moti muaj përpara, e lëre më edhe javë e ndonjëherë ditë”, thotë Tamsin Green, një meteorologe nga shërbimi i parashikimit Weather & Radar.
Kjo për shkak se moti në të gjithë Evropën është jashtëzakonisht i ndryshueshëm me faktorë të panumërt të ndryshëm që mund të ndikojnë.
Megjithatë meteorologët mund të analizojnë modelet e motit dhe të dhënat për tendencat e përgjithshme – duke përfshirë mesataret mujore të temperaturës. Aktualisht, duket se qershori, korriku dhe gushti janë të gjitha në trend mbi mesataren për sa i përket temperaturës, thotë Green.
Moti në të gjithë kontinentin ndryshon shumë duke e bërë të vështirë parashikimin se ku mund të godasë një ‘verë e nxehtë’. Green thotë se mund të ketë pika të nxehta në Evropën Jugore dhe Lindore.
Evropa Perëndimore mund të përballet me reshje mesatare në muajin qershor, më pas reshje mbi mesataren për Evropën Jugore në muajin korrik, por kushte më të thata në lindje. Sipas saj, gushti mund të jetë muaji më i thatë.
Çfarë ndikon te moti i Evropës?
Shumë faktorë të ndryshëm ndikojnë në motin e ndryshueshëm të Evropës. Bota aktualisht është në një fazë kalimtare midis dukurive klimatike El Niño dhe La Niña, për shembull, e cila është “vendimtare” për përcaktimin e modeleve globale të motit dhe temperaturës.
Parashikohet të qëndrojmë në këtë fazë neutrale të paktën deri në fillim të verës, por efektet e El Niño janë ende në vazhdim.
“Në muajt e fundit, temperaturat e ajrit dhe temperaturat e oqeanit janë ende astronomikisht të larta. Ato janë ende këmbëngulëse”, thotë Green.
Pavarësisht se El Niño përkufizohet si temperatura mbi mesataren e sipërfaqes së detit dhe rritje të reshjeve në Oqeanin Paqësor tropikal qendror dhe lindor, ai ka efekte globale.
Evropa po ngrohet më shpejt se mesatarja globale
Megjithatë, ekziston një faktor që luan një rol të madh në verërat gjithnjë e më të ngrohta të kontinentit dhe ai është ndryshimi klimatik i shkaktuar nga njeriu.
“Një gjë që është një faktor masiv, i pamohueshëm që nuk mund të injorohet është se ne po thyejmë vazhdimisht rekordet e nxehtësisë”, thotë Green.
“Dhjetë vitet e fundit kanë qenë dhjetë më të ngrohtat e regjistruara, ku shumica e ngrohjes së Tokës ka ndodhur në 40 vitet e fundit. E kemi parë prillin e vitit 2024 i cili ishte radhazi muaji i 11-të me nxehtësinë më të madhe në histori”, shtoi ajo.
Evropa është ngrohur me dyfishin e mesatares globale që nga viti 1991, sipas të dhënave të fundit nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) dhe agjencia e BE-së për klimën Copernicus (C3S). Kontinenti nuk bën “përjashtim” kur bëhet fjalë për pasojat e ndryshimeve klimatike me të dyja agjencitë që paralajmërojnë se Evropa duhet të bëjë më shumë për të reduktuar emetimet e saj dhe largimin nga karburantet fosile.
23 nga 30 valët më të rënda të të nxehtit të kontinentit kanë ndodhur që nga viti 2000 – pesë ishin në tre vitet e fundit.
Mesatarja e fundit pesëvjeçare tregon se temperaturat në Evropë tani janë 2.3C mbi nivelet para-industriale krahasuar me 1.3C më të larta në nivel global.
Për shkak të kësaj, Green beson “në një shkallë mjaft të madhe sigurie” se 2024-ta ndoshta do të jetë një vit tjetër rekord sa i përket temperaturave.
“Pavarësisht se si mund të formohen parashikimet, tendencat e rritjes së temperaturave globale janë të pamohueshme”./UBTNews/