Ekspertët nga Irani dhe Ukraina janë takuar për të diskutuar akuzat për përdorimin e dronëve sulmues të prodhuar nga Irani në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, tha të martën për CNN një zëdhënës nga ministria e jashtme në Kiev.
“Një takim i tillë ekspertësh ka ndodhur. Nuk mund t’i zbuloj detajet, por mund t’ju siguroj se pala ukrainase vazhdon të marrë masat më drastike për të parandaluar përdorimin e armëve iraniane nga Rusia për luftën kundër Ukrainës”, tha Oleg Nikolenko, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës.
“Ukraina e ka informuar Iranin se pasojat e bashkëpunimit në agresionin rus do të jenë të pakrahasueshme me përfitimet e mundshme të bashkëpunimit me Rusinë”, shtoi Nikolenko.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia ka marrë qindra dronë nga Teherani, të cilët janë përdorur për efekte vdekjeprurëse./UBTNews/