Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të përballen me infeksione të frymëmarjes në janar.
Është “shumë e mundshme” që infeksionet e frymëmarrjes mund të përhapen edhe më shumë gjatë tubimeve për festa, tha Dr. William Schaffner, profesor në Divizionin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt dhe drejtor mjekësor i Fondacionit Kombëtar për Sëmundjet Infektive.
“Këto janë viruse shumë ngjitëse – dhe njerëzit në përgjithësi kanë lënë pas vaksinimin kundër Covid-19. Ata nuk kanë qenë aq të vëmendshëm ndaj gripit. Ata nuk mbajnë maska”, tha Schaffner.
“Dhe nëse jeni afër me njerëz të tjerë, është një mundësi që këto tri viruse – gripi, COVID-19, madje edhe RSV – të përhapen nga një person te tjetri. Pra, ne presim rritje të këtyre viruseve pas festave”.
Në të gjithë vendin, ka pasur anulime fluturimesh dhe familje të bllokuara në aeroport gjatë udhëtimeve të tyre për pushime.
Disa zyrtarë lokalë të shëndetësisë po përgatiten për një rritje të mundshme të sëmundjeve të frymëmarrjes pas pushimeve dimërore, pasi kjo u pa kohët e fundit pas Ditës së Falënderimeve, tha Lori Tremmel Freeman, shefi ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Zyrtarëve Shëndetësor të Qarqeve dhe Qytetit.
Aktualisht, aktiviteti i gripit sezonal mbetet i lartë në SHBA, por vazhdon të bjerë në shumicën e pjesëve të vendit, sipas të dhënave të publikuara të premten nga Qendra e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Pavarësisht përmirësimeve, gripi mund të mos ketë arritur ende kulmin./UBTNews/