Ekspertët e të drejtave të OKB-së kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e një “fushate të urisë” që ka rezultuar në vdekjen e fëmijëve në Gaza.
“Ne deklarojmë se fushata e qëllimshme dhe e synuar e urisë e Izraelit kundër popullit palestinez është një formë e dhunës gjenocidale dhe ka rezultuar në zi buke në të gjithë Gazën”, thanë në një deklaratë dhjetë ekspertë të pavarur të Kombeve të Bashkuara.
OKB-ja nuk e ka shpallur zyrtarisht zinë e bukës në Gaza. Por ekspertët, madje edhe Raportuesi i Posaçëm i OKB-së për të Drejtën e Ushqimit, Michael Fakhri, këmbëngulën se nuk mund të mohohet se uria është duke u zhvilluar.
“34 palestinezë kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes që nga 7 tetori, shumica janë fëmijë”, thanë ekspertët.
Sipas ekspertëve, bota nuk ka bërë mjaftueshëm për të shmangur këtë fatkeqësi.
“Kur një foshnjë dy muajshe dhe Yazan al-Kafarneh 10 vjeç vdiqën nga uria përkatësisht më 24 shkurt dhe 4 mars, kjo konfirmoi se zia e bukës ka goditur Gazën veriore”, thanë ata.
“E gjithë bota duhet të kishte ndërhyrë më herët për të ndaluar fushatën gjenocidale të Izraelit për urinë dhe për të parandaluar këto vdekje”.
“Mosveprimi është bashkëpunim”./UBTNews/