Ekspertët kanë bërë thirrje për hetime “të shpejta, transparente dhe të pavarura” për ngjarjet në Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze më 7 tetor dhe pas asaj date.
“Hetuesve të pavarur duhet t’u ofrohen burimet, mbështetja dhe qasja e nevojshme për të kryer hetime të shpejta, të plota dhe të paanshme për krimet që supozohet se janë kryer nga të gjitha palët në konflikt”, thanë ekspertët përmes një deklarate, duke i bërë thirrje Izraelit, Autoritetit Palestinez dhe Autoriteteve de facto në Gaza të bashkëpunojnë plotësisht për kryerjen e hetimeve.
Morris Tidball-Binz, raportues i posaçëm për ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe Alice Jill Edwards, raportuese speciale për torturat dhe trajtimet ose dënimet e tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese, nënshkruan letrën. Ata i kërkuan komunitetit ndërkombëtar të garantojë që të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të sillen menjëherë para drejtësisë.
“Nuk ka asnjë statut parashkrimi për krime të tilla dhe ato bien nën juridiksionin universal, që do të thotë se gjykatat në çdo vend mund të ushtrojnë autoritetin e tyre për të ndjekur penalisht personat përgjegjës, pavarësisht nga kombësia e tyre dhe vendi ku janë kryer krimet”, thanë ata./UBTNews/