Ekspertët e të drejtave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) alarmuan të enjten për rritjen e numrit të gazetarëve të vrarë si pasojë e luftës në Gaza. Gjithashtu ata dënuan edhe përpjekjet e qëllimshme nga Izraeli për të heshtur raportimet kritike.
“Rrallëherë gazetarët kanë paguar çmimin e rëndë për ta bërë punën e tyre sikurse ata në Gaza tani”, thanë pesë ekspertët përmes një deklarate.
Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara, të paktën 122 gazetarë dhe punonjës të tjerë të medias janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës qëkur shpërtheu lufta atje pas sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit brenda Izraelit më 7 tetor. Gjithashtu militantët palestinezë vranë edhe katër gazetarë izraelitë më 7 tetor, ndërsa tre të tjerë janë vrarë si pasojë e bombardimeve të Izraelit kah pjesa e Libanit.
Ekspertët e pavarur, të cilët janë emëruar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, por nuk flasin në emër të OKB-së, thanë se pranuan raporte që pavarësisht se gazetarët njiheshin qoftë nga xhaketat apo helmetat në të cilat shënohej “shtyp” ose udhëtonin me automjete në të cilat po ashtu ishte shënimi shtyp, ata janë sulmuar.
Sipas tyre, kjo tregon se “vrasjet, plagosja dhe ndalimi janë një strategji e qëllimshme nga forcat izraelite për të penguar median dhe për të heshtur raportimet kritike”./UBTNews/