Në një intervistë ekskluzive për UBTnews, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka folur për proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë.
Vëmendje i dha kushtëzimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me nisjen e zbatimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për këtë diplomati holandez thotë se ky kushtëzim nuk është i çuditshëm, ngase Këshilli i Evropës parim e ka sundimin e ligjit.
“Lidhja e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me zbatimin i asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk është dhe aq e çuditshme, pasi parlamenti juaj në vitin 2013 e ka pranuar këtë asociacion, që sigurisht ishte një gabim i madh, por ju tashmë e keni bërë dhe sigurisht që jeni të detyruar të bëni këtë, sepse sipas këtij Këshilli, sundimi i ligjit është gjëja më e rëndësishme dhe nëse keni rënë dakord për diçka, duhet ta bëni atë”, deklaroi Bosch.
Ai i komentoi edhe tentativat e minstres së jashtme, Donika Gërvalla, e cila përmes një letre drejtuar këtij Këshilli, theksoi zotimin e qeverisë se draft-statutin e asociacionit të propozuar nga “Friedrich Ebert Stiftung”, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
“Mendoj se është shumë e mirë. Sigurisht, ishte pak vonë. Domethënë duhet të kishin marrë atë orgjinalin e ndryshuar nga Gjykata Kushtetuese dhe pastaj do ishin shmangur shumë telashe, pastaj problemi të ishte Serbia dhe jo Kosova”, shtoi ai.
Duke folur për dialogun, Bosch, lehtësuesin e procesit të negociatave e quan të një anshëm dhe në favor të Serbisë.
“I gjithë procesi është sigurisht një proces i çuditshëm, sepse ju e dini që është lehtësuar nga BE-ja dhe BE-ja është treguar jashtëzakonisht e njëanshme në favor të Serbisë. E ka lënë Serbinë të iki me shumë gjëra. Me të drejt thonë që të ndiqni obligimet për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por nuk thonë asgjë për diplomat, për kadastër, për kufij, dhe për të gjitha këto që serbët nuk po i bëjnë. Dhe këtu, gjëja kryesore janë snaksionet ndaj Kosovës, derisa Kosova pak a shumë ka pranuar gjithçka. Serbia nuk ka pranuar asgjë”, tha Bosch.
Në fund nga perspektiva e tij ai thotë nuk ka ndonjë dritë jeshile në të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.
“Nga këndvështrimi im, e ardhmja duket e zymtë. Tani ishte rasti për të bërë diçka. Mos i tërhiqni këmbët. Kur të jetë e mundur, bëjeni këtë marrëveshje për asociacionin, nxirreni përpara, përfundoni dhe pastaj shikoni se çfarë thonë serbët, sepse me siguri nuk do të pajtohen me të. Dhe pastaj problemi, për momentin, të paktën është tek ata”, tha ai.
Robert Bosch ishte ambasador i Holandës në Kosovë nga viti 2010 deri në vitin 2015./UBTNews/
Realizoi: Dea Berisha