UBT News

Ekskluzive: ‘I lumtur që ëndrra mu bë realitet’, Ridvan Murati rrëfen me emocion për ‘Berlinale 2025’

Përveç Akademisë së Çmimeve Oscar dhe Festivalit të Filmit në Cannes, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, i njohur si Berlinale, është një nga festivalet më prestigjioze të filmit në botë. Edicioni i 75-të jubilear do të mbahet nga 13 deri më 23 shkurt 2025.

“Të marrësh pjesë në një nga këto festivale është një ëndërr për çdo aktor, regjisor apo skenarist. Këto ditë u dëshmua edhe një herë se puna, përkushtimi dhe vendosmëria janë çelësi për të arritur suksesin. Prandaj, dua të ndaj me ju një lajm fantastik që vjen nga Berlini! Filmi zvicerano-gjerman “Heldin”, të cilin e kemi xhiruar në fillim të vitit 2024, do të ketë premierën botërore në një nga festivalet më të mëdha të filmit në botë – Berlinale 75 Film Festival”, kështu e ka filluar shkrimin e tij aktori Ridvan Murati duke njoftuar të gjithë se do të jetë prezent edhe fizikisht në këtë festival kaq të rëndësishëm.

E, pikërisht për këtë arritje, emisioni “n’Ritëm” me autore dhe moderatore Albina Zeneli në Radio Campus – 100.7 FM ka intervistuar Muratin i cili ka treguar më shumë detaje në lidhje me këtë risi që siç e cilëson ai e ka lumturuar pafund.

“Për mua është një nder që jam pjesë e një stafi kaq profesionist, të arrish në një shtet tjetër, në një treg e gjuhë tjetër është më e vështirë sesa në gjuhën shqipe”, tha mes tjerash aktori kosovar i cili shtoi se filmi ka filluar të xhirohet në fund të 2023 dhe mori kohë rreth 2 muaj e gjysmë.

Ai më tutje shton se 250 njerëz kanë punuar për këtë projekt, e të lumtur e ka bërë fakti që mediat në Kosovë e kanë mirëpritur këtë lajm e madje i falenderon të gjithë ata që e mbështetën në këtë rrugëtim.

Por, çka pret Ridvani nga kjo premierë botërore?

“Javën e kaluar e kam marrë konfirmimin që do të jesh dhe fizikisht në premierë, dhe mezi pres ta shoh filmin si tërësi. Presim që të jemi me një cmim sepse në Berlin duhet t’i plotësosh të gjitha kriteret që të jesh pjesëmarrës”, u shpreh më tutje Murati.

“Pres të krijoj kontakte, të kem përvoja të reja, e pse jo edhe oferta për projekte të tjera”, përfundoi aktori i cili jeton dhe vepron jo vetëm në Zvicër por dhe në Kosovë.

Përndryshe, aktori i njohur i disa roleve në zhanrin e komedisë dhe të dramës ka zbuluar se së shpejti do të ketë edhe filma të tjerë në Kosovë e pohon faktin që kohë pas kohe do të rikthehet në vendlindje që ta jap edhe këtu kontributin e tij. /UBT News/

Exit mobile version