Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa e ka quajtur si hap tejet pozitiv vendimin e Qeverisë së Kosovës për të ndarë 100 milionë euro si ndihmë.
“Nuk janë lëmoshë, janë ndihmë në këtë kohë”, ka qenë përgjigja e tij në emisionin e ekonomisë, PORTOFOL në Klan Kosova FM, kur është pyetur për cilësimet rreth shumës prej 100 euro të ndarë për punëtorët, studentët e pensionistët.
“Janë 800 mijë familje që përfshihen në këtë ndihmë. Vihen para në qarkullim duke u rritur fuqia blerëse – fuqia konsumatore. Është veprim që duhet përshëndetur. Po të ishte në kohë fushatë nuk do ta arsyetoja”, ka thënë Bellaqa.
Në pikën se nëse si pasojë e shpërndarjes së këtyre mjeteve mund të ketë ringritje të çmimeve, ai thekson: Janë institucionet si Ministria e Financave, Banka Qendrore e Kosovës, Dogana, ATK. Inspektorët duhet të dalin në treg”.
Bellaqa hap pozitiv e ka quajtur edhe ngritjen e pagës minimale.