Ekonomisti Besnik Avdiaj konsideron se vlera e publikuar e koeficientit nga qeveria në vlerë prej 105 euro është e paarsyeshme. Sipas tij, ky koeficient nuk do të ketë efekt në lidhje me krizën ekonomike me të cilën po ballafaqohet vendi.
Avdiaj u shpreh se pavarësisht që në disa sektorë janë rritur pagat, nuk u ndihmon atyre ta përballojnë krizën me inflacion.
“Përcaktimi i një koeficienti të kësaj vlere siç është deklaruar nga Qeveria e Kosovës në vlerën prej 105 euro deri diku ka arritur t’i ngrisë pagat në disa sektorë, por në anën tjetër nuk ka pasur ndonjë efekt që do të ju ndihmojë veçanërisht në këtë kohën e krizës me një ngritje page për ta përballuar më lehtë inflacionin dhe rritjen e çmimeve… Një vlerë e koeficientit ashtu siç është diskutuar shumë herë mbi 120 euro apo deri në 130, do të arsyetohej deri diku me situatën e krizës ekonomike, dhe në anën tjetër edhe me buxhetin e vendit, pra me paranë e akumuluar dhe të pashfrytëzuar të bartur nga viti i kaluar”, theksoi Avdiaj.
Sipas tij, vlera e pagave nuk duhet marrë si vendim solid, porse duhet të jetë e ndryshueshme, siç tha ai, varësisht prej situatave që ndodhet vendit.
Duke folur për vlerën e koeficientit, Avdiaj tha se në këtë mënyrë është harruar sekori privat, pavarësisht që është kontributdhënësi kryesor në akumulimin e parasë.
“Ky ligji për paga bashkë me koeficientin nuk duhet parë si vendime solide që do të mbetën të pandryshueshme për një kohë të gjatë, gjithmonë këto duhet objekte të rishikimeve të vazhdueshme, varësisht nga situata ekonomike, nga buxheti i vendit, varësisht nga strukturimi i ekonomisë së vendit, në mënyrë që përfitimet të shpërndahen aty në sektorët ku kapatalizohet vlera. Anën tjetër po harrojmë sektorin privat ku është kontributdhënësi kryesor në akumulimin e parasë në buxhetin e shtetit përmes pagesave të ndryshme të taksave”, tha Avdiaj.
Ai u shpreh se analizat që bëhen për të përcaktuar koeficientin apo ndryshimet e tij, duhet t’i përfshijnë të gjitha palët e interesit.
“Analizat që bëhen për të përcaktuar koeficientin por edhe ndryshimet përkatëse që mund të ndodhin këtij projektligji, t’i përfshin të gjitha palët e interesit dhe aty ku ka nevojë të intervenohet duke marrë parasysh kërkesat dhe situatat e tyre. Po ashtu, përcaktimi i këtij koeficienti nuk jam në dijeni me çfarë formulë është bërë nga institucionet tona, por po shpresoj që janë marrë më të vërtetë për bazë të gjitha parametrat e nevojshme dhe ka arritur deri te një vendim i tillë dhe nuk është lënë anash një mundësi më e mirë për koeficient më të lartë”, vijoi Avdiaj.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka prezantuar vlerën e një koeficienti për pagat në sektorin publik, i cili pritet të jetë 105 euro për vitin 2023. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se vlera e koeficientit të Ligjit të Pagave është 105 euro për vitin 2023, ndërkaq, tha se në vitin 2024 sipas llogaritjeve të bëra vlera e koeficientit do të jetë 110 euro.