Me rritjen e papunësisë, disa punëtorë në Bregun Perëndimor i janë rikthyer bujqësisë për të mbijetuar.
Disa muaj më parë, qyteti i Beit Dajanit, me një popullsi prej 5 mijë banorësh, mbolli dhe nuk prodhoi pothuajse asgjë. Shumica e të rinjve atje punonin si punëtorë krahu brenda Izraelit.
Pastaj filloi lufta në Gaza dhe të gjithë ishin pa punë. Në vend që t’i dorëzoheshin varfërisë dhe dëshpërimit, dhjetëra burra të papunë u frymëzuan nga Mohamad Abu Thabet, i cili u largua nga puna fizike për të rritur fruta dhe perime.
Në harkun kohor të disa muajve, dy serat e tij i dhanë frymëzim njerëzve që të bënin gati 200 të tjera.
“Kjo është më mirë edhe nëse të ardhurat e mia janë më të ulëta. Unë mbjell në tokën time. Asnjë pikë kontrolli apo telashe”, tha fermeri Raed Abu Jish për Al Jazeera.
Sado fitimprurëse të jetë, rritja e bimëve në Beit Dajan nuk është një punë e lehtë. Uji është i pakët dhe kolonët izraelitë sulmojnë serat në periferi.
“Problemi ynë kryesor janë kolonët – ata vazhdojnë të na ngacmojnë”, tha fermeri Abbas Haj Mohamad./UBTNews/