UBT News

Ekonomia joformale dhe korrupsioni kërcënimet serioze në vend

Në tryezën “Roli i integritetit të institucioneve, planeve të integritetit, dhe politikave kundër korrupsionit”, e organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), në ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, është thënë se si kërcënime serioze për vendin janë ekonomia joformale dhe korrupsioni.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj tha se në ditët në vijim do të lansohet aplikacioni për raportimin e korrupsionit, në të cilën zyrtarët dhe qytetarët mund të raportojnë shkelje të ndryshme.

“Sfidat me të cilat përballen janë të mëdha, por përkushtimi juaj do të kontribuojë për parandalimin e korrupsionit, në mënyrë që të shënojë progres ashtu siç kemi vlerësim ndërkombëtar dhe vendor. Duhet ta rrisim standardin e punës sonë. Ditët në vazhdim ne do të bëjmë edhe lansimin e disa produkteve tepër të rëndësishme, një nga to lansimi i aplikacionit për raportimin e korrupsionit, e cila do të na jep neve si agjenci që 24 orë në 7 ditë të javës, të pranojmë raporte nga zyrtarët dhe qytetarët që janë dëshmitarë të shkeljeve të ndryshme ”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Njësisë për Inteligjencën Financiare, Behar Xhema shprehu dy faktorët kërcënues të Kosovës.

“Njësia për Inteligjencë Financiare është institucion qendror i pavarur kombëtar, përgjegjës për kërkimet, analizimet dhe shpërndarjen e informatave dhe raporteve të inteligjencës me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve financiare në përgjithësi. Duke qenë se korrupsioni në nivel vendi, bazuar në vlerësimet e rreziqeve kombëtare të kryera në vitin 2013 dhe 2020, që të dyja të miratuara nga Qeveria e Kosovës, tregojnë që Kosova është në nivel i identifikuar në këtë vlerësim si kërcënime serioze për vendin janë ekonomia joformale dhe korrupsioni”, u shpreh ai.

E Behar Rushiti nga organizata Demokraci Plus, shtoi se digjitalizimi është njëra prej mjeteve të parandalimit të korrupsionit.

“Digjitalizimi është gjithmonë një prej mjeteve edhe të parandalimit të korrupsionit, ndonjëherë ka përpjekje sidomos në institucione publike, të cilat ofrojnë shërbime të tipit të lejeve, licencave, që nganjëherë edhe refuzojnë me thjeshtësua procedurat ose me i digjitalizuar procedurat, për me shmang kontaktin në mes të marrësit së shërbimit dhe dhënies së shërbimit, nganjëherë edhe për arsye korruptive, sepse digjitalizimi shmang kontaktin fizik dhe prezencën fizike, dhe mundësinë që ti me muajt me korruptua ose me gjykua anash për, të mundur me marr një shërbim të tipit të lejes apo licencës”, shtoi Rushiti.

Exit mobile version