UBT News

Ekonomia e Shri Lankës ka kolapsuar totalisht, thotë kryeministri

Ekonomia e Shri Lankës ka “kolapsuar totalisht”, deklaroi kryeministri Ranil Wickremesinghe të mërkurën, ndërsa vendi i goditur nga kriza po përballet me një situatë gjithnjë e më të rëndë që ka shtyrë miliona njerëz të përballen me mungesë karburantesh, energjie elektrike dhe ushqimi.

“Ekonomia jonë ka kolapsuar totalisht”, deklaroi Wickremesinghe para parlamentit të Shri Lankës, duke shtuar se Qeveria po kërkon ndihmë nga partnerët e saj globalë dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të stabilizuar ekonominë.

Wickremesinghe paralajmëroi se kombi ishull prej 22 milionë banorësh po “përballet me një situatë shumë më serioze”.

Shri Lanka është në mes të krizës së saj më të keqe financiare në shtatë dekada, pasi rezervat e saj valutore ranë në nivele rekord, me dollarët që po mbarojnë për të paguar importet thelbësore, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantin.

Në javët e fundit, qeveria ka marrë masa drastike për të përballuar krizën, duke përfshirë zbatimin e një jave pune katërditore për punonjësit e sektorit publik për t’u dhënë atyre kohë për të rritur të korrat e tyre. Megjithatë, masat nuk po kanë edhe aq efekt për të përballuar situatën me të cilën po përballen banorët në vend./UBTNews/

Exit mobile version