Wang Jian mezi po pret të rikthehet në punë për t’i ushtruar fëmijët basketboll tani që Kina ka hequr kufizimet kundër COVID-19. Por palestra në qytetin lindor të Shenyang-ut është mbyllur për një muaj sepse të gjithë trajnerët janë infektuar me COVID-19.
Sipas parashikimeve, aktivitetet biznesore dhe konsumatore në Kinë mund të ringjallen që në tremujorin e parë të këtij viti. Por sipërmarrësit dhe familjet përballen me një shtrëngim të dhimbshëm nga një rritje e rasteve me virus që i ka lënë punëdhënësit në mungesë të punëtorëve të shëndetshëm dhe pa klientë.
“Shpresoj se situata do të përmirësohet në mars ose prill”, tha Wang, 33 vjeç, i cili nuk mori pagë qe katër muaj qëkur u mbyll palestra si pasojë e virusit. “Nëse prindërit shqetësohen për riinfeksionin e mundshëm, ata thjesht nuk do t’i dërgojnë fëmijët e tyre për trajnim”.
Parashikuesit thonë se vendimi i papritur i qeverisë së presidentit Xi Jinping për t’i dhënë fund masave antiCOVID-19 do ta zgjasë afatin kohor për rimëkëmbjen ekonomike, por mund të prishë aktivitetin këtë vit pasi bizneset përpiqen të përshtaten.
“Ky do të jetë një proces me gunga”, tha Dong Chen, kryeekonomisti i Azisë për Menaxhimin e Pasurisë në Pictet.
“Njerëzit ende po luftojnë me infeksione, por ne mendojmë se kjo mund të jetë e përkohshme”, tha Chen. “Në përgjithësi, ne mendojmë se kjo është një befasi pozitive”.
Vendimi për të përshpejtuar rihapjen e Kinës është një nxitje për ekonominë globale në një kohë kur aktiviteti në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë po dobësohet pas rritjeve të përsëritura të normave të interesit nga bankat qendrore për të qetësuar inflacionin në rritje.
Me gjasë kjo mund të ndihmojë në ringjalljen e shitjeve të makinave dhe të nxisë kërkesën për mallra konsumi të importuar, naftë dhe ushqime në Kinë, një nga tregjet më të mëdha globale. Vendet sikurse Tajlanda me industri të mëdha turistike presin me padurim një fluks udhëtarësh kinezë.
Banka Botërore dhe parashikuesit e sektorit privat kanë ulur vlerësimet e rritjes ekonomike të Kinës vitin e kaluar në 2.2% për shkak të rritjes së infeksionit që filloi në fillim të tetorit dhe sfidoi qëllimin “zero-COVID” të Pekinit për të izoluar çdo rast. Fondi Monetar Ndërkombëtar pret një rimëkëmbje në 4.4% këtë vit, por kjo do të ishte ende ndër nivelet më të ulëta të tri dekadave të fundit.
Politika “Zero-COVID” e Kinës ndikoi që shifrat e infeksionit të jenë të ulëta në Kinë, por mbylli Shangain dhe qytetet e tjera industriale vitin e kaluar për dy muaj, duke ndërprerë prodhimin dhe transportin. Grupet e biznesit thanë se kompanitë globale po i zhvendosin planet e investimeve nga Kina sepse rregullat e karantinimit të vizitorëve, i pengonin drejtuesit t’i vizitojnë kompanitë e tyre./UBTNews/