UBT News

Ekonomia e Britanisë tkurret me 0.2% në tremujorin e tretë

Ekonomia e Britanisë u tkurr në këtë tremujor (deri në shtator), thanë statistikat zyrtare të premten, ndërsa parashikuesit paralajmëruan për shumë muaj tkurrje që do të vijnë.

Zyra për Statistikat Kombëtare tha se produkti i brendshëm bruto ra me 0.2% midis korrikut dhe shtatorit, një tkurrje më e vogël se sa pritej që megjithatë shihet se sinjalizon fillimin e një recesioni të gjatë.

GDP u tkurr me 0.6% në shtator dhe me 0.1% në gusht, tha zyra e statistikave. Poashtu u tha se një rënie në prodhim dhe një ditë pushimi shtesë për të shënuar vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, e cila kontribuoi në “një rënie të dukshme të shitjes me pakicë”, ishin pas rënies.

Sipas statistikave, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është tani 0.2% më e vogël se në shkurt 2020, pak para se pandemia COVID-19 të mbyllte pjesë të mëdha të ekonomisë për muaj të tërë.

Ekonomia e Britanisë, si ajo e shumë vendeve të tjera, po lufton pasi pushtimi rus i Ukrainës ka rritur kostot e ushqimit dhe energjisë, duke e çuar inflacionin e çmimeve të konsumit në nivelet më të larta të 40 viteve./UBTNews/

Exit mobile version