UBT News

Ekipi i UBT-së merr pjesë në punëtorinë e Hackathon-it Ndërkombëtar “HackCorruption” – prezanton projektin fitues inovativ “AI Corruption Tracker”

Pas përzgjedhjes në fazën konkurruese dhe miratimit të projektit të tij, ekipi i UBT-së, i kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe profesorët Blerim Zylfiu, Hajdi Xhixha dhe Lavdim Menxhiqi, mori pjesë në punëtorinë e nivelit të lartë të Hackathon-it Ndërkombëtar “HackCorruption”, i cili u mbajt në Tiranë, Shqipëri. Në kuadër të kësaj ngjarjeje prestigjioze, ku u bashkuan ekipe nga rajoni dhe më gjerë, ekipi i UBT-së dhe përfaqësuesit e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë arritën të shkëlqejnë, duke fituar vendin e parë me projektin inovativ “AI Corruption Tracker.”

Ky projekt unik, i ndërtuar mbi teknologjinë e inteligjencës artificiale, përfaqëson një arritje të madhe për UBT-në dhe Kosovën. “AI Corruption Tracker” është dizajnuar për të identifikuar konfliktet e interesit në Kosovë dhe për të luftuar praktikat korruptive, duke ndihmuar në forcimin e transparencës dhe integritetit në sektorin publik. Platforma do të jetë një mjet i rëndësishëm për monitorimin e veprimtarive të dyshimta, duke analizuar të dhëna në mënyrë të përparuar dhe duke krijuar raporte të personalizuara për organet përkatëse.

Ky sukses në “HackCorruption” është dëshmi e përkushtimit të UBT-së ndaj inovacionit dhe transparencës, duke treguar aftësitë e universitetit në përdorimin e teknologjisë për t’i shërbyer shoqërisë. Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në lidhje me këtë fitore, tha:

“Puna jonë në këtë projekt jo vetëm që reflekton vlerat e UBT-së si një lider në edukimin teknologjik, por gjithashtu dëshmon angazhimin tonë për të sjellë zgjidhje që fuqizojnë shoqërinë dhe mbështesin parimet e integritetit dhe transparencës në rajon.”

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë hackathon dhe suksesi i ekipit të tij me projektin “AI Corruption Tracker” pasqyrojnë përkushtimin e universitetit për të kontribuar në zhvillimet më të avancuara teknologjike dhe për të ofruar zgjidhje praktike në fushën e anti-korrupsionit./UBTNews/

Exit mobile version