Në vendin e krimit ku u vranë dy vëllezërit Morina në Golluboc të Malishevës tashmë janë edhe ekipet e forenzikës policor.
Ata do të marrin provat përmes së cilës do të identifikojnë detajet nga vendi ku ndodhi vrasja e që dyshohet të jetë kryer nga dhëndëri i tyre.
Ndërkohë është duke vazhduar edhe kërkimi i tij, e ku për këtë është aktivizuar edhe njësiti policor K9.
I dyshuari raportohet se ka qenë i dyshuar për dy vepra penale, ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’.
Sipas informacioneve të para, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur edhe aktakuzë ndaj tij për këtë rast.
Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj ka thënë se janë duke ndërmarrë gjitha veprimet për rastin tragjik.
“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, tregoi ai./EO
