Të dielën, Egjipti propozoi një plan me tri faza për t’i dhënë fund luftës së vazhdueshme mes Izraelit dhe Hamasit, raportojnë mediat, por nuk dihet se si palët e përfshira do ta pranojnë.
Kabineti i luftës i Izraelit u mblodh të hënën, dhe mes temave të tjera, ata pritej të diskutonin përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar lirimin e pengjeve, tha një zyrtar izraelit për CNN. Marrëveshja trefazore e Egjiptit do të “siguronte lirimin e pengjeve që po mbahen Hamasi në Gaza”, raporton analisti politik dhe i politikës së jashtme të CNN, Barak Ravid, duke cituar dy burime izraelite.
Në fazën e parë të planit, Izraeli pritet të ndalojë operacionet ushtarake për një deri në dy javë që Hamasi të lirojë 40 pengje, duke përfshirë gra dhe të moshuar, sipas Ravid. Ai shtoi se faza e dytë përfshin marrëveshjen për shkëmbimin e trupave të militantëve të Hamasit që po mbahen nga Izraeli me trupat e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi. Dhe faza e tretë e planit “përfshin një marrëveshje të gjithë për të gjithë”, raporton Ravid, që do të thotë se Izraeli do të kthejë 6 mijë të burgosur palestinezë në burgjet e tij për pengjet e mbetura izraelite – përfshirë ushtarët – që Hamasi i mban në robëri.
Javën e kaluar, Hamasi tha se fraksionet palestineze nuk do të pajtohen rreth bisedave për shkëmbimin e të burgosurve derisa Izraeli të përfundojë operacionin e tij ushtarak në Gaza./UBTNews/