Gjendja emergjente në Egjipt do të largohet për herë të parë pas disa vjetëve, tha të hënën presidenti i këtij shteti, Abdel Fattah al-Sisi.
Egjipti e kishte vendosur gjendjen emergjente në prill të vitit 2017, pas shpërthimeve vdekjeprurëse në kisha, dhe prej asaj kohe vazhdimisht ia ka zgjatur afatin kësaj mase çdo tre muaj, pavarësisht përmirësimit të situatës së sigurisë, shkruan Reuters.
“Egjipti është bërë oazë e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Prandaj, është vendosur, për herë të parë në disa vjet, që të anulohet zgjatja e afatit të gjendjes emergjente në të gjitha zonat e vendit”, shkroi Sisi në Facebook.
Gjendja emergjente u jepte autoriteteve kompetenca të shumta për të kryer arrestime e për t’i shtypur ata që i cilësojnë si armiq të shtetit.
Aktivisti i njohur egjiptian, Hossam Bahgat, e mirëpriti vendimin, duke thënë se një gjë e tillë do ta ndalojë përdorimin e gjykatave të gjendjes emergjente, ndonëse vendimi nuk do të vlejë për disa raste të profilit të lartë, që tashmë janë dërguar për shqyrtim në organe të këtilla.