Izraeli u paralajmërua nga Egjipti tri ditë para sulmit vdekjeprur ndërkufitar, deklaroi një kryetar i panelit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Michael McCaul njoftoi gazetarët për paralajmërimin e supozuar.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i përshkroi raportimet si “absolutisht të rreme”.
Shërbimet e inteligjencës izraelite janë nën vëzhgim për dështimin e tyre për të parandaluar sulmin më vdekjeprurës nga militantët palestinezë në historinë 75-vjeçare të Izraelit.
“Ne e dimë se Egjipti i ka paralajmëruar izraelitët tri ditë më parë se një ngjarje si kjo mund të ndodhë”, u tha McCaul gazetarëve pas një konference me dyer të mbyllura të inteligjencës të mërkurën për ligjvënësit në lidhje me krizën e Lindjes së Mesme, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
“Unë nuk dua të flasë me detaje, por paralajmërimi u dha”, shtoi republikani i Teksasit. “Unë mendoj se pyetja ishte në çfarë niveli”.
Një zyrtar egjiptian i inteligjencës i tha agjencisë së lajmeve Associated Press këtë javë se Kajro i kishte paralajmëruar vazhdimisht izraelitët se “diçka e madhe” po planifikohej nga Gaza.
“Ne i kemi paralajmëruar se po vjen një shpërthim i situatës, dhe shumë shpejt, dhe do të ishte i madh. Por ata i nënvlerësuan paralajmërimet e tilla”, tha zyrtari në kushte anonimiteti.
Zyrtari i Kajros tha se zyrtarët izraelitë kanë minimizuar kërcënimin nga Gaza, duke u fokusuar në Bregun Perëndimor./UBTNews/