Kanë filluar punimet në kuadër të projektit “Subvencione për Efiçiencë të Energjisë – SEEK”, implementuar nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC).
Punimet për renovimin e ndërtesave nëpër 7 komuna të ndryshme në Kosovë për efiçiencë kanë nisur në komunën e Lipjanit.
Zëvendësambasadori i ShBA-së në Kosovë, Nicolas Giacobbe tha se këto punime shënojnë një kthesë shumë të rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet komunave në mënyrë që energjia të jetë stabile.
“Është e një rëndësie të madhe ky projekt i këtyre punimeve dhe renovimeve, duke bërë kështu që ekonomia dhe energjia të krijoj një sistem stabilë në këtë projekt”.
“…kemi punuar shumë në atë se si mund të punojmë dhe çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim bashkë me partnerët tanë”, tha Giacobbe.
Petrit Selimi, drejtor Ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK), tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për komunën e Lipjanit.
“Është një projekt i rëndësishëm par këtë komunë. Janë gjithsej 9 hyrje. Partneriteti ka qenë bashkërisht me ekipet tona, dhe që do ta rrisin efiçiencën elektrike dhe ndihmën për qytetarët e kësaj komune”.
Sarah Olmstead, drejtoreshë ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), tha se ky partneritet ka rëndësi të madhe sepse shënon një punë të gjatë.
“Ky partneritet ka shumë rëndësi sidomos pas një pune të gjatë dhe është kënaqësi të jemi këtu sidomos në përmasimin e fushës së energjisë dhe u dimë problemet e shumta që zakonisht na shfaqen, kështu që shpresoj që renovimet e tilla do japin një rezultat të madh në të ardhmen”, tha ajo.
Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti, tha në këtë projekt përfshihen 143 banesa dhe është një ndihmë e jashtëzakonshme për Lipjanin.
“143 banesa përfshihen në këtë projekt dhe është një ndihmë e jashtëzakonshme për banorët, andaj jam falënderues për këtë projekt. Ne si komunë jemi të fokusuar në këtë investim dhe projekt”, tha Ahmeti.