Kur mendojmë për pijen e preferuar në botë, mendja na shkon menjëherë tek kafeja. Sidoqoftë, çaji në fakt është pija më e lirë dhe e konsumuar anembanë globit.
Hulumtimet kanë zbuluar se lista e përfitimeve të mira nga pirja e çajit është e gjerë, me rezultate si ulja e inflamacionit, ulja e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve kronike, ulja e sheqerit në gjak dhe shumë më tepër.
Pavarësisht faktit se çaji është një zgjedhje e popullarizuar për rehati dhe shërim, kjo nuk do të thotë se nuk shoqërohet me ndonjë efekt negativ të mundshëm.
Çaji mund ta ndërpresë ritmin natyror të trupit tuaj
Varësisht nga çaji që e zgjidhni, ju mund të konsumoni më shumë kafeinë nga sa e kuptoni. Çaji i zi, i bardhë dhe ai i gjelbër, përmban afërsisht 14 deri në 16 miligram kafeinë për një gotë. Ani pse nuk është sasi aq e madhe sa një filxhan kafe, sërish e ka potencialin ta çrregullojë ritmin natyror cirkadian të trupit.
Sistemi ynë cirkadian është një mënyrë tjetër për ta treguar ritmin që trupat tanë ndjekin gjatë një periudhe 24-orëshe, përfshirë kohën kur jemi zgjuar dhe në gjumë. Ky ritëm mund të çrregullohet nga gjëra të tilla si, drita, stresi, puna dhe kafeina. Prandaj është e rëndësishme ta ruajmë ritmin tonë natyror sepse kjo na ndihmon të ndjehemi më vigjilentë gjatë ditës, të flemë më mirë natën dhe ta mbajmë një shëndet më të mirë në përgjithësi.
Hulumtimet tregojnë se çrregullimi i sistemit cirkadian mund të çojë deri në probleme kardiovaskulare, probleme të shëndetit mendor, shtim në peshë dhe një sistem imunitar të dobësuar. Kështu që herën tjetër kur vendosni të pini çaj për t’u relaksuar natën, provoni të konsumoni çaj të gjelbër apo ndonjë çaj tjetër bimor.
Mund ta rris rrezikun e kancerit të ezofagut
Ky lajm mund të jetë befasi për shumicën, por konsumimi i sasisë së madhe të çajit të nxehtë mund të shkaktoj kancer të ezofagut. Hulumtime të shumta të kryera ndër vite kanë gjetur rezultate të ngjashme, duke e vënë re se kafja dhe çaji i nxehtë shquhet për faktin se shkakton dëme të rënda në ezofagun e njeriut.
Ekspertët ende po përpiqen ta gjejnë shpjegimin e saktë për këtë, por shumë studime besojnë se kjo ka të bëjë me temperaturën e brendshme të ezofagut tonë.
Mund t’i ulë nivelet e hekurit në gjak
Çaji di të ketë përfitime të jashtëzakonshme për shëndetin, por studimet tregojnë se personat që vuajnë nga anemia apo ndonjë çrregullim tjetër që shkakton mungesë të hekurit në gjak, duhet ta shmangin konsumimin e shpeshtë të kësaj pije, në veçanti çajin e zi dhe të gjelbër.
Një raport mbi zhvillimet aktuale në ushqyerje thotë se taninat që gjenden në çaj, mund të jenë fajtorë për ndryshimet në përthithjen e hekurit në trup. Taninat janë përbërje natyrore që gjenden në disa çaja, verë dhe çokollatë dhe ato janë vërtetuar se e ulin bio-disponueshmërinë e hekurit pas konsumit të vazhdueshëm. Kur ke nivele të ulëta të hekurit në gjak, ti mund të përjetosh lodhje, shqetësim, tharje të lëkurës dhe kokëdhimbje.
Mund të shkaktojë kapsllëk
Ndërmjet shumë përbërjeve natyrore që gjenden në çaj, teofilina është një gjë e zakonshme për t’u marrë parasysh. Kjo përbërje gjendet në kafe dhe çaj dhe nganjëherë përdoret për t’i zbutur muskujt e rrugëve të frymëmarrjes për pacientët me astmë. Edhe pse është e dobishme për frymëmarrje, ajo po ashtu mund të shkaktojë efekte anësore të vogla por të bezdisshme.
Sipas një raporti të Agjencisë së Brendshme për Kërkime mbi Kancerin, konsumimi i teofilinës nga çaji mund të çojë në shqetësime gastrointestinale. Disa burime tjera theksojnë se teofilina shquhet për faktin se shkakton kapsllëk dhe të përziera. Prandaj personat të cilët tashmë përjetojnë probleme të barkut, është mirë ta kontrollojnë sasinë e konsumimit të çajeve./koha.net