Që pas popullaritet që fitoi gjatë pandemisë, njerëzit në TikTok kanë qenë nismëtarë të shumë trendeve, një pjesë e tyre në lidhje me rritjen e vetëbesimit dhe ndryshimit të koncepteve ndaj imazhit të trupit. Megjithatë një trend së fundmi, ndonëse i nisur për argëtim, duket se po ul vetëbesimin e njerëzve.
Bëhet fjalë për filtrin “inverted” që kthen foton/videon duke treguar se si ju shohin të tjerët. Nuk është një filter i ri, por po fiton popullaritet së fundmi. Përmes këtij filtri, njerëzit shohin nëse fytyrat e tyre janë simetrike (sepse ka gjasa ta konsiderojnë si një standard bukurie).
“Është goxha privilegj ta bësh këtë trend pa qenë nevoja të shpërthesh në lot,” shkruan një vajzë në TikTok. “Ky efekt më ka dëmtuar seriozisht vetëbesimin tim,” lexohet në një postim në Twitter.
Arsyeja që ndikon në imazhin që kemi për veten është fakti se ky filter i bën njerëzit të duken “çuditshëm” dhe me “çuditshëm” nënkuptojmë që shohin një imazh që nuk është shumë i njohur për ta.
E thënë më thjesht, kur shiheni në pasqyrë, ju shihni një version tjetër të fytyrës suaj. Kjo ndodh sepse fytyrat nuk janë simetrike. Kur shihni veten me filtrin inverted, shihni një version tuajin ku tiparet nuk janë siç jeni mësuar t’i shihni çdo ditë.
Sipas shumë studimeve, njerëzit preferojnë të shohin atë që hasin më shpesh. Në një studim të University of Wisconsin në vitin 1977, njerëzve iu paraqitën dy versionet e tyre. Ata zgjodhën si të preferuar version që shohin në pasqyrë.
Interesant është fakti që miqtë dhe partnerët e tyre, preferuan versionin tjetër. Sigurisht që ndikon edhe këndi i kamerës, ndriçimi, animi i kokës etj.
Nëse ndiheni çuditshëm për këtë filter, duhet të dini që ndryshimet nuk janë aq të mëdha sa duken. Pastaj kujtoni që të tjerët janë mësuar t’ju shohin ashtu dhe pëlqejnë atë version. Pra, çdo gjë “e çuditshme” është thjesht në kokën tuaj.