Në Berlin ka hapur zyrtarisht sot dyert Panairi më i madh ndërkombëtar në botë i turizmit, ITB Berlin 2025, ku Shqipëria është përzgjedhur si “Vendi i Nderit”. I pranishëm në ceremoninë e hapjes është kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria, është vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë.
Edi Rama u shpreh se “është kënaqësi e vërtetë që gjendem këtu në një aktivitet i cili vetëm pak vite më parë do të ishte vështirë të përfytyrohej për ne. Është kënaqësi e vërtetë të sjell pak diell nga Shqipëria, sepse të mikpresësh këtë panair nën qiej gri të Berlinit do të ishte një blasfemi. Sigurisht, është kënaqësi e madhe të citoj këtu një prej organeve më të mëdha të shtypit në Gjermani, ‘Bild’, që jo shumë larg në të shkuarën na rezervonte artikuj jo fort të këndshëm, ndërsa sot shkruan se ‘Shqipëria nuk është më një destinacion i panjohur, por pritet të bëhet një pikë e nxehtë për ata që duan diellin dhe plazhin për 2025’, por ka më shumë se kaq. Bazuar në Kartën e Turizmit të Kombeve të Bashkuara, deri tani Shqipëria është vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë, po kështu kemi edhe aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë deri më tani”.
Rama tha më tej se “ndërkohë që shohim më në fund edhe turistët gjermanë që po vijnë. Ca vite më parë dikush me tha se dita kur turistët gjermanë do të vijnë në Shqipëri, do të jetë dita kur progresi juaj do të jetë i pakthyeshëm! I thashë, si është e mundur?! Më tha: “Sepse turistët gjermanë janë ata më kokëfortët, së pari, që të kuptojnë se ku po shkojnë, por më pas, në momentin që vijnë, vazhdojnë të qëndrojnë si një dëshmi shumë, shumë e fortë e ndryshimit. Jemi shumë të lumtur të shohim shifrat në rritje të turistëve gjermanë: nga rreth 120 mijë disa vite më parë, në 374 mijë vitin e kaluar. Ne jemi mjaft ambiciozë për të marrë gjithnjë e më shumë turistë gjermanë”, u shpreh Rama.