Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog është shprehur i befasuar me vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe të prokurorëve.
“Financimi adekuat dhe pavarësia e institucioneve gjyqësore janë gurëthemele të sistemit të sundimit të ligjit dhe kërkesat themelore të procesit integrues në BE”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme që ka mbajtur dje, ka marrë vendim për reduktimin e punës së gjykatave dhe të njëjtat do të punojnë vetëm për shërbimet esenciale. Këshilli ka kërkuar nga qeveria e Kosovës të anulojë vendim për uljen e pagave dhe e ka quajtur atë kundërkushtetues. Sipas tyre, një vendim i tillë është dekurajim për gjyqtarët dhe do të ndikojë në luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Në mbledhjen e djeshme, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Qeveria ka vendosur që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë si para vitit 2017.