Situata në komunën e Deçanit vazhdon të jetë e rëndë. Numër i madh i qytetarëve edhe gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj” në këtë komunë.
Doktoresha Feride Dautaj, në një prononcim për Telegrafin ka treguar se nga ora 15:00 e së mërkurës e deri sot në orën 07:00 , ndihmë mjekësore kanë kërkuar 114 pacientë.
“Prej tyre 67 kanë qenë me simptomatologji të helmimit, kurse dy raste i kemi referuar për në Spitalin e Pejës”, tha Dautaj.
Ajo shtoi se gjatë natës ka qenë kryesisht qetë, mirëpo në orët e mëngjesit ka filluar sërish fluksi i pacientëve.
Dautaj bëri të ditur gjithashtu se një fëmijë i moshës 1 vjeç është dërguar në Spitalin e Gjakovës.
“Një fëmijë i moshës 1 vjeç i cili ka qenë duke u trajtuar që tre ditë në QKMF në Deçan, është dërguar për në Spitalin e Gjakovës për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore”, u shpreh Dautaj.
Kujtojmë se që nga dita e diele e deri më sot, numri i qytetarëve me simptoma të helmimit që janë paraqitur në QKMF në Deçan, ka kaluar mbi 1 mijë.
Komuna e Deçanit ka shpallur gjendje emergjente.