Kur kanë mbetur edhe pesë ditë deri në përfundimin e procesit të regjistrimit të popullsisë së Kosovës, mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani.
Ndonëse pritshmëritë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë që procesi të përfundojë me kohë, ka kërkesa prej disa komunave që kjo datë të shtyhet. Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë institucion, Avni Kastrati.
Në një konferencë për media, Kastrati ka njoftuar se deri më tani çdo gjë ka shkuar sipas planifikimeve, pa ndonjë sfidë madhore.
Ndërkaq ka shtuar se sa i përket kërkesave për shtyrje të datës, do të shikojnë nëse e njëjta ka bazë që të aprovohet. Ai tha se meqenëse një pjesë e madhe e regjistrueseve kanë kryer zonat e caktuara, të njëjtit mund t’i dalin në ndihmë komunave tjera në mënyrë që mos të ketë shtyrje të procesit.
“Jemi në javën e fundit të datës së regjistrimit të popullsisë, kanë mbetur edhe pesë ditë deri tek përfundimi. Procesi deri më tani ka kaluar siç është planifikuar në fillim nuk kemi pas sfida madhore në aspektin teknik dhe pritjet janë që gjatë kësaj jave të përfundojë në gjitha komunat e Kosovës. Nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare nga ndonjë komunë që të shtyhet procesi. Por, është një shkresë nga një komunë. Por, pas disa informacioneve janë përgatitur disa shkresa nga disa komuna që kërkojnë të shtyhet procesi, në aspektin e statistikave nuk paraqet sfidë dhe do t’i shqyrtojmë me vëmendje nëse ka bazë ose arsye të mirë. Një pjesë e madhe e kanë kryer regjistrimin dhe mund t’i realizojmë në komuna tjera të njëjtit regjistrues nëse është nevoja. Në përgjithësi sistemi dhe pajisjet kanë punuar mirë, regjistruesit kanë qenë aktiv gjatë gjithë kohës”, tha Kastrati.
Ndërsa ka shtuar se në disa komuna, si Prizren dhe Prishtinë janë hapur disa zyre, për qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen, të shkojnë në ato zyre.
“Disa qytetarë që nuk kanë mundur të regjistrohen ka thirrje masive që të regjistrohen, pasi ka frikë që nëse sot nuk regjistrohen nuk do të jenë pjesë e procesit, por ka kohë edhe pesë ditë. Ftoj të gjithë regjistruesit që kanë kryer zonat e tyre të bëjnë edhe një vizitë sidomos tek shtëpitë që kanë qenë të zbrazëta të verifikojnë nëse ka mbet ndonjë individ pa u regjistruar. Nga dita e sotme në disa komuna janë hapur disa zyre që qytetarët mund të shkojnë të regjistrohen, pra, mund të shkojnë qytetarët në ato zyre apo në ASK të regjistrohen është kjo mundësi për ata që udhëtojnë ose kanë rast urgjent”, tha ai.
Kastrati ka thënë se komuna e Dragashit ka bërë kërkesë që të shtyhet data e përfundimit të procesit së regjistrimit, mirëpo ka thënë se do t’u ndihmojnë me staf në mënyrë që procesi të mos shtyhet. Ndërkaq ka thënë se sipas informacioneve, ka edhe komuna tjera që po e kërkojnë të njëjtën, mirëpo Kastrati ka thënë se do të shikojnë nëse ka bazë të fortë për të aprovuar këtë kërkesë.
“Do të shikojmë nëse ka bazë ose arsye të fortë për komunën që ka kërkuar të shtyhet, porse regjistrimi është duke shkuar sipas pritjeve dhe shifrat e fundit deri më tani janë regjistruar mbi 1.4 milionë banorë, pjesëmarrja nga komunitetet janë duke marrë pjesë të gjitha…Dragashi ka bërë kërkesë që të shtyhet procesi. Jemi në diskutim që të mos shtyhet pasi do ta mbështesim me staf, arsyeja ka sfidë me komunitet janë disa vendbanime që kanë refuzuar në fillim”, tha ai.
Sa i përket pjesës veriore, ai ka theksuar se ndonëse kishte hezitim, ka prej tyre që janë regjistruar. Tutje ai njoftoi se numri i banorëve të regjistruar nga diaspora ka kaluar numrin mbi 400 mijë.
“Në pjesën veriore ka ende hezitim meqenëse qytetarët kanë shprehur gatishmërinë, disa janë regjistruar, presim këto ditë edhe për tjerët që janë të interesuar. Kualiteti i të dhënave do të jetë shumë më i lartë se vitin 2011, kjo për shkak teknologjisë dhe stafit të ASK…Po ashtu diaspora ka kaluar numrin mbi 400 mijë që janë regjistruar në sistemin online dhe përmes formularit S1”, ka shtuar Kastrati.
Në regjistrimin e popullsisë po ashtu është përfshirë edhe një pyetësor, i cili iu mundëson qytetarëve të deklarohen edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta e fundit në Kosovë. Ndërsa gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.
Kujtojmë se regjistrimi i popullsisë ka filluar më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.