Zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se, bombardimi i teatrit në Mariupol, është një tjetër shenjë se forcat e presidentit rus, Vladimir Putin u janë drejtuar taktikave më brutale.
Przydacz ka thënë se pajtohet me karakterizimin e presidentit amerikan, Joe Biden, se lideri rus është “kriminel lufte”.
“Sipas mendimit tim, plani fillestar ka qenë për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake”, ka thënë Przydacz.
“Kremlini ka besuar se Qeveria e Ukrainës disi do të avullohet. Nuk ka ndodhur kështu. Ukrainasit janë shumë të guximshëm në mbrojtjen e tokës dhe vlerave të tyre, demokracisë së tyre, shtetit që e kanë ndërtuar në 30 vjetët e fundit. Tani Putin ka vendosur të godasë infrastrukturën civile”.
Ai ka thënë se ka parë një fotografi jashtë një teatri të bombarduar në Mariupol, në të cilin është thënë se ka fëmijë brenda.
“Nëse kjo nuk e ka ndalur Putinin nga bombardimet, atëherë ai është, siç e ka quajtur presidenti Biden, një kriminel lufte”.