Deputetët mblidhen sërish sot, më 7 korrik, në një tentim të radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Kjo është përpjekja e 43-të me radhë për ta bërë Kuvendin.
Vazhdimi i fundit i seancës u bë mbrëmjen e së shtunës, më 5 korrik, pasi gjatë ditës pati një alarm të rrejshëm për bombë.
Dështimet për konstituimin e Kuvendit po vazhdojnë edhe pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka obliguar deputetët që ta bëjnë Kuvendin më së largu deri më 26 korrik.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, pas së cilës deputetët e zgjedhur janë betuar por nuk kanë arritur ende t’i formojnë trupat e legjislativit.
Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme – në votim të hapur – për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të këtij institucioni.
Ata po kërkojnë që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare.
Thirrje për të dalë nga kjo krizë institucionale ka brenda dhe jashtë Kosovës.
Deri më tash, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të partive politike – si përpjekje për ta zgjidhur ngërçin, por të gjtiha të pasuksesshme.