Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok.
Më herët autoritetet kanë njoftuar për tetë të arrestuar të tjerë.
I dyshuari me inicialet J.V u arrestua mbrëmë, sipas policisë, “nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”.
Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia ka bërë të ditur se është kryer kontrollë në shtëpinë ku banonte i dyshuari dhe janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale.
Sipas policisë, janë gjetur katër granate dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, karikatorë, radiolidhje, uniforma ushtarake, dokumente, dylbi e kamerë kamufluese.
“Situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.
Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorporata Energjetike e Kosovës.