Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ua vazhduar paraburgimin edhe për nga dy muaj, pesë të dyshuarve E.R, Sh.J, G.R, Xh.S dhe G.J, nën dyshimin për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.R dhe SH.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 26.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit të njëjtëve edhe për dy (2) muaj, për secilin veç e veç”, ka konfirmuar Gashi.
E njëjta theksoi se masa e paraburgimit iu vazhdua edhe tre të miturve të tjerë të dyshuar në këtë rast.
“Po ashtu lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur me datë 23.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit tre të miturve edhe për dy muaj, për secilin veç e veç”, njoftoi Gashi./BetimipërDrejtësi