Gjykata Themelore në Mitrovicë, edhe në rigjykim e dënoi zyrtarin policor Daut Syla, me nëntë muaj burgim, për akuzën për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Syla u shpall të premten nga gjyqtari i rastit Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, i akuzuari obligohet t’i paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 50 euro, në emër të ekspertizës 20 euro, kurse në emër të fondit të kompensimit të viktimave shumën prej 30 euro.
Gjyqtari Beqiri ka njoftuar se palët kanë të drejtë që në afat prej 15 ditësh nga dita kur e marrin aktgjykimin, të paraqesin ankesë në gjykatën e shkallës së dytë kundrejt këtij vendimi.
Ndërsa, i dëmtuari A.P për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.
Ndryshe, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Daut Syla, avokatit Agim Lushta në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të shkallës së parë, sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim me aktvendimin e datës 13 korrik 2022.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të përpiluar më 25 prill 2017, Daut Syla thuhet se më 6 tetor 2016, në korridorin e Stacionit Policor në Mitrovicë, pasi e kishin sjellë në stacion të dëmtuarin A.P për shkak të dhunës në familje, me keqpërdorim të pozitës së tij si zyrtar policor, e ka fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarit A.P., duke e ofenduar dhe tërhequr të njëjtin.
Me këtë, Syla ngarkohej se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198, par.1. të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me burgim deri në tre vjet.