Edhe në komunën e Pejës mëngjesin e sotëm filloi vaksinimi i personelit shëndetësor me vaksinën kundër Covid-19.
I pari që e mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca është drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Skender Dreshaj, i cili tha se kjo vaksinë duhet të merret nga të gjithë.
Më pas u vaksinua edhe drejtori i repartit të Infektivës në këtë spital, Halil Komoni, i cili tha se më në fund edhe në Kosovë erdhi kjo vaksinë përmes të cilës do të ndalet ky termet që shkaktoi koronavirusi.
E drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci tha se procesi i vaksinimit në Pejë po shkon mirë dhe 1 mijë dozat e dedikuara për mjekët e kësaj komune janë të mjaftueshme. Vaksinimi po bëhet në qendrën kryesore të vaksinimit në Pejë.
Në këtë komunë u vërejt një interes i shtuar i profesionistëve shëndetësorë që donin të vaksinoheshin.