KQZ ka publikuar rezultatet e votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta për zgjedhjet komunale të 17 tetorit edhe për komunat Drenas e Deçan.
Në komunën e Drenasit, Ramiz Lladrovci nga PDK-ja ka marrë më së shumti vota – 219, pasuar nga Driton Ajazi – DD 148, Fejzi Kiqina i Lëvizjes Vetëvendosje 116. Xhavit Drenori nga GPD ka marrë 34 vota, Arta Ahmeti Xhylani AAK 23 dhe Anduena Gllareva LDK 10 vota.
Drenasi do të jetë pjesë e balotazhit më 14 nëntor. Për të parin e kësaj komune do të garojnë Ramiz Lladrovci dhe Driton Ajazi, pasi në raundin e parë asnjëri prej tyre nuk mori mbi 50 për qind të votave të nevojshme. Kryetar i komunës në raundin e dytë shpallet kandidati që merr më së shumti vota.
Kurse në Deçan, kandidati për kryetar të komunës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bashkim Ramosaj prin për nga numri i votave me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta, me 127 vota.
Kandidati për kryetar të Deçanit nga radhët e Vetëvendosjes, Orges Tafilaj mori 35 vota, ai i LDK-së, Hyri Dobrunaj mori 23 vota, dhe Ardiana Qorraj nga PDK siguroi 5 vota.