Në deklaratën e përbashkët e cila do të miratohet sot (14 qershor) në samitin e NATO-s në Bruksel do të përmendet edhe Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Në draftin e kësaj deklarate, i cili ka rreth 50 faqe, do të flitet kryesisht për sfidat e NATO-s në përballje me kërcënimet e reja, reformën e Aleancës, por edhe për angazhimet e saj jashtë territorit të vendeve të NATO-s.
Në tekstin e përgatitur për miratim nga ana e shefave të shteteve të Aleancës pritet të mbështetet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Pritet po ashtu të përsëritet përkushtimi i NATO-s për të ndihmuar në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe do t’iu bëhet thirrje vendeve të rajonit për një partneritet dhe bashkëpunim më të madh mes vete.
Në tekstin e deklaratës do të shprehet mbështetje edhe për Bosnje e Hercegovinën, integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi.
Samiti i sotëm në Bruksel është i pari në të cilin merr pjesë edhe presidenti amerikan, Josep Biden, që nga betimi i tij në këtë pozitë, në janar të këtij viti.
Nesër (15 qershor) në Bruksel do të zhvillohet edhe një samit i BE-së me Shtetet e Bashkuara. Këto takime, si në NATO ashtu edhe në BE, shihen si dëshmi për forcimin e aleancës mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane. Pikërisht rajoni i Ballkanit Perëndimor, e sidomos Kosova dhe Bosnje e Hercegovina, shihen si shembull ku bashkëpunimi transatlantik është rruga më e mirë për të arritur sukses.
Shumica e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë bërë anëtare të NATO-s me përjashtim të Bosnje e Hercegovinës, Kosovës dhe Serbisë.
Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë anëtare të Partneritetit për Paqe me NATO-në ndërsa në Kosovë NATO-ja ka misionin e saj ushtarak të KFOR-it.
Burimi: Radio Evropa e Lire