Sot në klasa e pranë edukatoreve janë rikthyer edhe fëmijët dhe parashkollorët. Me ceremoni mirëseardhje e plotë buzëqeshje u pritën ata nga edukatoret dhe mësueset e tyre.
Disa të lumtur që i ritakuan shokët dhe shoqen në kopshte, e disa të përlotur sepse dëshironin ende të jeni në pranin e prindërve, fëmijët në institucionin parashkollor “Bardha”, u pritën me shumë dashuri e aktivitete argëtuese nga mësueset e këtij institucioni.
Gjithandej me ngjyra e me llojllojshmëri të lodrave institucioni “Bardha”, ka menduar që t’ua bëjë më të lehtë fëmijëve rikthimin në ambientet e kopshtit.
Menaxherja e këtij institucioni, Fegjrie Shala u shpreh se 1 shtatori çdoherë është emocionues për të gjithë, e sidomos për fëmijët të cilët i bashkohen një ambienti të ri larg familjes.
Ajo tha se aktivitetin e mirëseardhjes që sot e kanë përgatitur, ka për qëllim t’ua bëjë më të lehtë ambientimin me klasën.
“Emocionet normal që çdoherë më 1 shtator janë më ndryshe, sigurisht për vetë fëmijët dhe për neve si staf janë më ndryshe, ndjenja më të veçanta kanë parashkollorët që ndihen pak më të rritur dhe kanë një emocion pak më ndryshe. Dita e parë është çdoherë sfiduese në kopsht dhe normal edhe sot me emocione prindërit dhe fëmijët, por besoj me kalimin e kohës bëhet adaptimi dhe mandej jemi më stabil”, tha ajo.
Krahas përgatitjeve të tjera, Shala tha se ditët në vijim do t’i njoftojë edhe prindërit për librat që do të punohet me parashkollorët.
“Prioritet e kemi pas përgatitjet besoj që deri në javën e fundit i njoftojmë edhe prindërit me cilat veç kemi me punu”, theksoi menaxherja e institucioni parashkollor “Bardha”.
Menaxherja e institucionit parashkollor “Bardha”, Fegjrie Shala theksoi se edhe këtë vit ka pas mjaftë interesim për regjistrimin e parashkollorëve në këtë institucion.
“Kërkesat janë të ndryshme por kryesisht për parashkollor ka kërkesa më shumë“, deklaroi ajo.
Në Kosovë sot ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor 2024-2025. Risi këtë vit është pilot-projekti për mësimin gjithëditor në disa shkolla në Komunën e Prishtinës.
Edhe këtë vit ka vazhduar subvencionimi i teksteve dhe materiale shkollore në platformën e-Kosova.