UBT News

Edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë reagon për sulmin ndaj mjekut në Istog

Të martën një mjek u sulmua në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, pasi kishte refuzuar që ta kontrollonte një pacient me arsyetimin se kishte përfunduar orarin e punës.

Për sulmin ndaj mjekut ka reaguar sot edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. FSShK ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmet ndaj mjekëve, për çka edhe u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që veprojnë konform legjislacionit në fuqi që ndaj kryesve të kësaj vepre të shqiptohen dënime meritore. Për këtë sulm sindikata e QKMF-së në Istog ka organizuar edhe një protestë 15 minutëshe.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj ndaj dhunës fizike e cila ka ndodhur më datë 09.02.2021 rreth orës 15:05, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, ku është sulmuar fizikisht nga familjarët e pacientit mjeku XH.A. Ngjarja ka ndodhur ditën e martë ku mjeku i kësaj qendre Dr.Avdiaj pasi ka përfunduar orarin e punës në ora 15:00, kurse pacienti ka ardhur pas përfundimit të orarit për të marrë shërbim në QKMF – Istog , mjekun në fjalë i ka udhëzuar që të kontrollohen tek mjeku familjar apo mjeku i emergjencës sepse mjeku në fjalë e ka përfunduar orarin e punës, por ky shpjegim nuk i ka mjaftuar familjarëve të pacientit dhe kanë sulmuar fizikisht mjekun. Për këtë rast është njoftuar menjëherë Policia e cila ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është marrë me rastin. FSSHK-ë fton organet e rendit dhe të drejtësisë të veprojnë konfrom legjislacionit në fuqi që ndaj kryerësve të kësaj vepre të shëmtuar të shqiptohet dënimi meritor. Pas sulmit Sindikata e QKMF -Istog ka organizuar një protestë duke filluar nga ora 09:00 deri në orën 09:15 para objektit të kësaj Qendre, protestë kjo e përkrahur edhe nga organet qëndrore të FSSHK-së”, thuhet në komunikatën e FSShK-së.

Ndër tjera FSShK ka dënuar dhunën e ushtuar ndaj punëtorëve shëndetësorë, dhe ka kërkuar nga instancat më të larta shtetërore që të merren me rastin në fjalë, duke ditur që raste të tilla të turpshme janë bërë të shpeshta të cilat po e fyejnë rëndë identitetin dhe imazhin e punëtorëve shëndetësorë në vend.

Exit mobile version